Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është thirrur nga SPAK që të paraqitet ditën e nesërme, më 10 qershor, në orën 10:00, për të dhënë shpjegime në lidhje me një kallëzim për shpifje të bërë nga gjyqtarja Irena Gjoka.
Kallëzimi është regjistruar që nga viti i kaluar me numrin 139, dhe Berisha do të pyetet në cilësinë e personit që ka dijeni mbi një çështje që ndodhet në fazën paraprake të hetimeve.
Irena Gjoka, ish-kryetare e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dhe njëherazi gjyqtarja që caktoi masat e sigurisë “arrest në shtëpi” për Berishën dhe “arrest me burg” për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i është drejtuar SPAK-ut në tetor 2024 për të kërkuar hetim ndaj deklaratave të Argita Berishës.
Sipas kallëzimit, Argita Berisha, vajza e ish-kryeministrit, ka akuzuar publikisht gjyqtaren Gjoka se është filmuar teksa i kërkonte 500 mijë euro një ish-eksponenti të Partisë Socialiste. Kjo akuzë ka sjellë nisjen e hetimeve të reja nga SPAK.