Ekipet e shpëtimit pranë rrënojave të avionit të rrëzuar në IndiEkipet e emergjencës kërkojnë të mbijetuar mes rrënojave të avionit në Ahmedabad, ku humbën jetën 241 persona

Një tragjedi ajrore në Indi, ku humbën jetën 241 persona, ka një të mbijetuar të vetëm – Vishwash Kumar Ramesh. Ai ndodhej në rreshtin e parë të klasit ekonomik, në vendin pranë dritares me numër “11-A”, kur avioni Boeing 787 Dreamliner u rrëzua mbi një zonë të banuar në qytetin Ahmedabad.

Ramesh, 40 vjeç, arriti të largohej vetë nga rrënojat e avionit, i plagosur por në jetë. Të gjithë pasagjerët e tjerë fatkeqësisht humbën jetën. Një video virale në rrjetet sociale e tregon atë me fytyrën e përgjakur, duke vrapuar i tronditur pranë vendit të aksidentit, ndërsa njerëzit përreth e shikonin me mosbesim.

Një punonjës i ndihmës së shpejtë konfirmoi për agjencinë AP se Ramesh u dërgua me ambulancë për ndihmë mjekësore. Sipas mjekëve, ai kishte dëmtime të shumta në trup, por jeta e tij nuk ishte në rrezik.

Deklarata e vetë të mbijetuarit është tronditëse:

“Tridhjetë sekonda pas ngritjes, dëgjuam një zhurmë të fortë. Ndjeva sikur avioni ngeci në ajër. Dritat brenda u dridhën, jeshile dhe të bardha. Papritur, ndodhi përplasja. Kishte trupa përreth meje. U hodha dhe ika”, tregoi Ramesh.

Ai shton se pjesa e avionit ku ndodhej ai nuk goditi çatinë e një ndërtese, por ra në tokë, gjë që mund të ketë shpëtuar jetën e tij. “Pashë daljen dhe mendova se mund të dilja. U përpoqa dhe ia dola,” deklaron ai.

Gazeta britanike “The Guardian” dhe media të tjera ndërkombëtare e kanë cilësuar mbijetesën e Rameshit si “një mrekulli të vërtetë”. Në rrjetet sociale, rasti i tij po përshkruhet si ndërhyrje hyjnore, fat unik dhe një dëshmi e rrallë e shpëtimit nga vdekja.

Bileta e tij prej letre, me shenjën “11-A”, i ka mbijetuar aksidentit dhe është publikuar në disa portale ndërkombëtare si simbol i fatit të jashtëzakonshëm të këtij njeriu.

Leave a Reply