Izraeli ka paralajmëruar se sulmet e tij ndaj Teheranit mund të zgjasin deri në dy javë, pasi komandantë të lartë ushtarakë iranianë dhe zyrtarë të rëndësishëm janë vrarë gjatë një sulmi të koordinuar që goditi selitë dhe shtëpitë e tyre mbrëmjen e kaluar.
Operacioni i koduar “Luan i Rilindur” shënjestroi objektiva ushtarake dhe objekte bërthamore në Iran përmes një vale shkatërruese sulmesh ajrore – duke rritur ndjeshëm frikën se Lindja e Mesme ndodhet në prag të një lufte të përgjithshme.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se operacioni i sofistikuar, i cili përfshiu një breshëri dronësh të pajisur me eksplozivë dhe më shumë se 200 avionë luftarakë, kishte në shënjestër një objekt bërthamor në Natanz, si dhe programin iranian të raketave balistike.
Irani ka premtuar “hakmarrje të dhimbshme” pas këtyre sulmeve, ndërsa udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se Izraeli do të përballet me një “ndëshkim të ashpër”.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara janë distancuar nga operacioni, duke paralajmëruar Iranin që të mos godasë bazat amerikane në rajon si kundërpërgjigje. Megjithatë, Teherani paralajmëroi se SHBA-të do të “paguajnë një çmim të rëndë” përkrah Izraelit.