Izraeli ka vazhduar me sulmet ajrore në jug të Libanit, duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale. Të mërkurën, një person u vra dhe tre të tjerë u plagosën gjatë një sulmi me dron në qytezën Beit Lif, njoftoi Ministria e Shëndetësisë së Libanit.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Liban, sulmi goditi oborrin e një shtëpie dhe predha shpërtheu pranë veturës së pronarit.

Ky është një nga disa sulme që Izraeli ka kryer në ditët e fundit, pavarësisht armëpushimit të arritur në nëntor të vitit të kaluar, i cili i dha fund mbi një vit përplasjesh me Hezbollahun, përfshirë dy muaj lufte të hapur.

Hezbollahu, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ka krahun e tij ushtarak të futur në listën e zezë edhe nga Bashkimi Evropian, ndonëse krahu politik i tij nuk është i sanksionuar.

Marrëveshja e armëpushimit parashikon që luftëtarët e Hezbollahut të tërhiqen në veri të lumit Litani – rreth 30 kilometra larg kufirit izraelit – dhe të shkatërrojnë të gjithë infrastrukturën ushtarake në jug të vendit. Në të njëjtën kohë, marrëveshja kërkon që Izraeli të tërheqë trupat nga territori libanez. Megjithatë, ushtria izraelite vazhdon të mbajë prezencë në katër pika që i konsideron me rëndësi strategjike.

Leave a Reply