No Widgets found in the Sidebar

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga plagosja e dyfishtë në Tapizë të Fushë-Krujës gjatë orëve të vona të natës.

Mësohet se në tavolinën e lokalit ku ndodhi plagosja ishin 6 shokë, të cilët ishin mbledhur për të festuar ditëlindjen e 25-vjeçarit që mbeti i plagosur. Ai është Lorenc Cani 25 vjeç. Ky i fundit u qëllua me armë nga shoku i tij Xhentil Sefa 25 vjeç, pas një debati që nisi mes tyre për shkaqe banale. Dyshohet se ata kanë qenë edhe nën efektin e alkoolit.

Lorenc Cani u qëllua me armë në shpatull, ndërsa autori Xhentil Sefa u vetëplagos me armë në dorë. Të dy u dërguan në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Dy prej shokëve kallëzuan ngjarjen në polici dhe pasi iu mor dëshmia u lanë të lirë. Ndërsa dy të tjerë, Flogert Kallari dhe Hygert Muja u arrestuan. I pari sepse nuk kallëzoi krimin. Ndërsa i dyti, i cili është pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, ka fshehur armën e krimit, ka hequr gëzhojat nga vendngjarja dhe ka prishur vendin e ngjarjes.