No Widgets found in the Sidebar

Shefi i diplomacisë në Bashkimin Europian, Josep Borrell ka reaguar pas zhvillimeve në veri të Kosovës dhe vendimit të Listës Serbe për t’u larguar nga institucionet.

Përmes një deklarate për mediat të publikuar në faqen zyrtare të BE-së, thuhet se zhvillimet e fundit mund të vendosin në rrezik shumë vite të punës në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vënë në rrezik shumë vite të punës dhe arritjeve të arritura në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe pengojnë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë. Bashkimi Evropian u bën thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme”, theksohet në komunikatë.

Sipas kryediplomatit Borrell, tërheqja nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe përshkallëzon më shumë tensioned, ndërsa u ka bërë thirrje të dyja vendeve të përmbushin angazhimet dhe detyrat e tyre.

“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale. Ajo ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Njëkohësisht përmes kësaj deklarate,  Borrell ka përsëritur kërkesën për zgjatjen e menjëhershme të vendimit për targat, e po ashtu, ka kërkuar edhe që të nisin hapat për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Dështimi i vazhdueshëm për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, thuhet ndër të tjera.

“Në të njëjtën kohë, BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët në kuadër të Dialogut. BE-ja gjithashtu i bën thirrje Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni/Bashkësia duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, thuhet në këtë komunikatë.