Shqipëria sot, 110 vjet shtet i pavarur dhe sovran

Estimated read time 3 min read

Shqipëria feston sot 110-vite nga krijimi i shtetit. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.

28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.

Ditën e sotme do të zhvillohen një sërë aktivitetesh, por Vlora do të jetë epiqendra e festimeve. Organizimet nuk do të mungojnë as jashtë kufijve, ku komuniteti shqiptar në SHBA do të ngrejë flamuri shqiptar në Bergen County.

Festimet do të shtrihen edhe në Kosovë, ku kryeministri Albin Kurti do të mbajë homazhe në bustin e heroit Gjergj Kastriot Skëndërbeut dhe atë të Adem Jasharit.

Ndërkohë, Presidenti Bajram Begaj, mban pritjen shtetërore të rastit. Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë organizojnë javën festive, me vente që do të shtrihen në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe do të kulmojnë me koncertin madhështor “110 vjet Forca të Armatosura-Së bashku për Paqen”, në datën 3 dhjetor 2022.

Në festimet e një jave eventet dhe atmosfera e festave kombëtare do të na emocionojë të gjithëve. Të ardhurat e realizuara nga aktivitet dhe konceretet do të shkojnë në mbështetje të familjeve me fëmijë të lënduar nga lufta në Ukrainë.

Pak histori

Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike: Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar.

Më 28 Nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit shqiptar. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare.

Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar.

Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.

You May Also Like

More From Author