Nuk pranonte lidhjen e vajzës së saj me një 32-vjeçar shqiptar. Kështu, babai, një 54-vjeçar, ka kërcënuar të riun me një sfurk. Megjithatë, siç shkruajnë mediat edhe shqiptari e ka plagosur më herët 54-vjeçarin me një goditje me lopatë.
Në fakt, ngjarja në fjalë ka ndodhur në vitin 2020, por të enjten filloi gjyqi civil, ku të dyja palët janë edhe paditës, edhe të paditur.
Babai i vajzës akuzohet për plagosje të rëndë me dashje. Ai dyshohet se ka goditur 32-vjeçarin me grushta dhe shqelma. Po ashtu, dyshimet janë se e ka goditur me një sfurk në dorë. Për këtë arsye, shqiptarit i është dashur të shtrohej në spital si pasojë e plagëve.
Po ashtu, dyshohet se 54-vjeçari e ka kërcënuar vazhdimisht. “Eja, eja do të të vras sot. Sot do të të vras edhe ty, hajde para derës sime dhe do të të vras… do ta çaj barkun”, mësohet se i ka thënë ai.
Por edhe shqiptari nuk është pa gjë. Ai akuzohet për kërcënime dhe plagosje. Duke qenë se prindërit e të dashurës së tij kundërshtonin lidhjen, një herë dyshohet se shqiptari ka sulmuar të atin e vajzës.
“Do t’ju vras të dyve. Do t’ju vras si qentë. Për ju përfundon keq. Do ta shihni shpejt gjakun në këtë shtëpi”, dyshohet të ketë thënë ai.
Po ashtu, dyshohet se gjatë një sherri, ai ka sulmuar 54-vjeçarin me shqelma dhe grushta dhe më pas me lopatë hekuri e ka goditur në kokë dhe në shpatull. Prandaj të dy palët janë të akuzuar dhe palë civile në të njëjtin proces.