Ndoshta Friederich Merz mendoi se po tregohej i zgjuar. Kreu i partisë kryesore opozitare të Gjermanisë, kohët e fundit, pretendoi në televizion se shumë nga 1 milion ukrainasit që vërshuan në Gjermani këtë vit, nuk erdhën si refugjatë, por si “turistë socialë”, për të përfituar nga ndihmat qeveritare.
Ky ishte një gabim trashanik. Edhe vetë anëtarët e Partisë Kristian Demokrate (CDU), thanë se udhëheqësi i tyre e kishte tejkaluar kufirin. Ai u detyrua të kërkonte falje, shkruan The Economist.
Por ky nuk ishte vetëm një lapsus politik. Pavarësisht nëse i pëlqen apo jo zotit Merz, e vërteta është se Gjermania ka nevojë për emigrantë.
Asaj i duhen urgjentisht. Ndërsa shtrëngimi i energjisë nga Rusia po e shtyn ekonominë më të madhe të Europës drejt recesionit, ajo kërcënohet edhe nga një mungesë e madhe e fuqisë punëtore. Dy sondazhe në tremujorin e dytë të këtij viti, e ilustrojnë këtë prirje.
Instituti për Kërkimin e Punësimit, një agjenci qeveritare, vlerësoi se vendet e lira të punës në Gjermani arritën një rekord prej 1.93 milionë, 66% më shumë se vitin e kaluar.
Ndërkohë, IFO, një think-tank në Mynih, zbuloi se 49.7% e kompanive gjermane nuk mund të sigurojnë mjaftueshëm punëtorë të kualifikuar, nga 30% në vitin 2019 dhe ky është niveli më i lartë që nga fillimi i sondazheve në 2009.
Mungesa e fuqisë punëtore
Pengesa nuk do të jetë jetëshkurtër, thotë Herbert Brücker nga Universiteti Humboldt në Berlin. Pa ndryshime në normat e pjesëmarrjes, në kohën e daljes në pension ose në emigracion, fuqia punëtore e Gjermanisë do të tkurret me 15-16 milionë persona deri në vitin 2060.
“Nuk kemi përjetuar kurrë një situatë të tillë që nga fillimi i viteve 1970”, thotë zoti Brücker, duke vënë në dukje se rritja e moshës së daljes në pension ose përfshirja e më shumë grave në fuqinë punëtore, nuk do ta zgjidhte tërësisht problemin.
“Duke hamendësuar se duam të mbajmë të qëndrueshëm punësimin dhe të ulët raportin e varësisë, e vetmja përgjigje është më shumë emigrantë”.
Koalicioni i qendrës së majtë e pranon sfidën. Ai ka hedhur idenë e krijimit të një sistemi pikësh të stilit kanadez për të vlerësuar emigrantët, duke lehtësuar rregullat për kualifikimet profesionale dhe duke i nxitur emigrantët e aftë të kërkojnë punë në Gjermani.
Por asnjë nga këto ndryshime nuk është bërë ende. Dhe nuk është e qartë se ndryshimi i rregullave të krijuara për të mbajtur jashtë jo-europianët dhe për të parandaluar një përsëritje të valës së refugjatëve sirianë në vitin 2015, që ngjalli frikën e Überfremdung (të mbingarkuar nga të huajt), mund të rrisë vëllimin e të ardhurve të nevojshëm.
Gjermania nuk është i vetmi vend i pasur që ka më shumë njerëz që po dalin në pension sesa që po hyjnë në fuqinë punëtore. Megjithatë, për shkak të ndryshimeve të mëdha në dinamikën e popullsisë pas Luftës së Dytë Botërore, ajo po përballet me një sfidë të veçantë.
Nivelet e uljes së lindjeve në vitet 1950, u pasuan nga një rritje e shpejtë me 1.4 milionë lindje në vit deri në vitin 1964, dhe më pas nga një rënie e madhe deri në vitin 1975, shpjegon Wido Geis-Thöne, ekonomist në Institut der Deutschen Wirtschaft në Këln.
Brezi “baby-boomer” tani po del në pension, ndërkohë që fëmijët e brezit “të dobët” të viteve 1970, të lindur në vitet 1990, po kërkojnë punën e tyre të parë.
Një studim në vitin 2020, tregoi se për çdo 100 gjermanë të grupmoshës 60-64 vjeç që do të dilnin në pension, kishte një grup korrespondues prej vetëm 82 personash të moshës 20-24 vjeç në fillim të karrierës.
Edhe më alarmante, për çdo 100 persona të moshës 55-59 vjeç, kishte vetëm 59 persona të moshës 15-19 vjeç, dhe për çdo 100 gjermanë të moshës 50-54 vjeç, kishte vetëm 56 punëtorë të ardhshëm të moshës 10-14 vjeç. Për krahasim, këto mesatare në të gjithë BE-në ishin përkatësisht 83, 74 dhe 72.
Nëse do të lihej në shkallën e saj natyrore të rënies, fuqia punëtore e Gjermanisë do të humbiste rreth 350,000-400,000 njerëz në vit, një prirje që Dr. Brücker pret të zgjasë një dekadë përpara se të ngadalësohet.
Agjencia Kombëtare e Statistikave pajtohet, duke parashikuar se pa emigracion, popullsia e Gjermanisë mund të bjerë gati 25% gjatë 40 viteve të ardhshme, nga 85 milionë, në 65 milionë. Kjo do të tendoste jo vetëm kapacitetin prodhues, por edhe aftësinë e vendit për të ndihmuar të moshuarit.
A mund ta mbushë boshllëkun puna e importuar? Marcus Winter është i sigurt se mundet. Nga 750 punonjës në firmën lokale të kontraktimit dhe shërbimeve që ai drejton në shtetin jugor Baden-Württemberg, tre të katërtat janë të lindur jashtë vendit.
Kjo përfshin jo vetëm fuqinë punëtore të pakualifikuar, por edhe menaxherët e lartë, një prirje gjithnjë e më e zakonshme në të gjithë vendin. Hulumtimet nga Dr. Geis-Thöne tregojnë se ndërsa 51% e të gjithë pastruesve dhe 35% e stafit të restoranteve janë të lindur jashtë vendit, të tillë janë edhe një e katërta e Fakultetit të Mjekësisë dhe Shkencës në universitetet gjermane.
Rreth 58% e rrogëtarëve me origjinë indiane, kanë punë që kërkojnë aftësi të specializuara ose diploma universitare, sa dyfishi i normës së gjermanëve vendas.
Zoti Winter do të ishte i lumtur të punësonte më shumë emigrantë. Por punëtorët nga skajet më të varfra të Bashkimit Europian, të cilët mund të hyjnë në Gjermani pa viza, nevojiten gjithnjë e më shumë në atdhe.
Emigrantët e aftë nga vende si Brazili apo Bangladeshi, ende përballen me pengesa, pavarësisht reformave të emigracionit të paraqitura në vitin 2000, të cilat synonin ta bënin Gjermaninë një magnet talentesh, si Kanadaja apo Australia.
Punëtorët me kualifikim të ulët, për të cilët ka nevojë edhe Gjermania, kanë fare pak mënyra ligjore për të ardhur. “Ligjet janë shumë të vështira”, thotë zoti Winter. “Ata mund të vijnë në Gjermani vetëm nëse kanë një kualifikim të krahasueshëm, por sistemi ynë është shumë i veçantë dhe nuk pranon diploma të huaja”.
Standardi është vendosur shumë lart, si për kompanitë, ashtu edhe për punëtorët, thotë Julia Beise-Gehrmann, e cila drejton një program për të ndihmuar integrimin e punëtorëve të huaj në shtetin Mecklenburg-West Pomerania, në ish-Gjermaninë Lindore.
Sidoqoftë, shton ajo, qëndrimet ndaj punëtorëve të huaj janë zbutur. Kompanitë lokale që ishin skeptike për punësimin e të huajve, tani e shohin se nuk kanë zgjidhje tjetër. Shqetësimi i tyre tani është që t’i mbajnë punëtorët të lumtur.
Vu Thanh Van, familja e të cilit u zhvendos në portin detar Rostock në Mecklenburg-West Pomerania në vitin 2008, pajtohet se gjërat janë më mirë tani. Tridhjetë vite më parë, menjëherë pas bashkimit të Gjermanisë, një turmë vendasish rrethuan dhe më pas dogjën një ndërtesë që strehonte punëtorë të huaj dhe familjet e tyre.
Shumica ishin vietnamezë, të cilët ishin sjellë në Gjermaninë Lindore si “punonjës mysafirë” dhe më pas qëndruan atje. Tani, thotë zonja Vu, më e keqja me të cilën përballen të huajt në Rostock, është mungesa e mirësjelljes, si për shembull kur emigrantët e brezit të dytë pyeten se si mund të flasin gjermanisht kaq mirë.