No Widgets found in the Sidebar

Evropa duhet të rrisë prezencën e saj në Ballkanin Perëndimor për të kufizuar ndikimin e Rusisë, tha ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, para nisjes së takimeve të organizuara nga NATO-ja në Bukuresht, raportojnë mediat e huaja.

“Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është i rëndësishëm për paqen. Ne duhet të ndalojmë rusët në Ballkanin Perëndimor, ne kemi nevojë për më shumë Evropë. Ne duhet të mbrojmë të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor dhe afër Ukrainës, sepse është e rëndësishme në këtë moment të punojmë së bashku, Uniteti është i rëndësishëm dhe është një mesazh i fortë për Rusinë”, tha Tajani.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s takohen sot, për të dytën ditë me radhë, për të rikonfirmuar mbështetjen për shtetet e brishta në kufi me Rusinë, pas shqetësimeve për destabilizimin e tyre, prej nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.

“Arsyeja pse jemi duke u mbledhur është për të dërguar sinjal sesa i rëndësishëm është stabiliteti jo vetëm për NATO-n, por edhe për shtetet përtej saj”, tha ministri i Jashtëm holandez, Wopke Hoekstra.

Aleatët e NATO-s janë zotuar të martën për të vazhduar ndihmën ndaj Ukrainës dhe për të riparuar infrastrukturën e saj të energjisë, e cila është dëmtuar rëndë si pasojë e bombardimeve ruse.