Cila është trashëgimia e Artur Liolinit? – Nga Atë Foti Cici

Estimated read time 7 min read

Cila është trashëgimia e Artur Liolinit?

Atë Foti Cici

“Po të ishte gjallë Imzot Noli, do ishte mik i ngushtë me kryepeshkop Anastasin”, përsëriste Artur Liolini. Dhe kjo thënie e tij (e paguar) është përdorur sa e sa herë nga media anastasiste për të manipuluar besimtarët dhe për të shfajësuar shkombëtarizimin e komunitetit ortodoks në Shqipëri dhe në diasporë.

Përkundrazi, them unë, nëse rronte Imzot Noli në vitin 1991, a qoftë dhe një peshkop shqiptar ortodoks në Shqipëri, Janullatosi nuk do të shkelte atje as si turist!

Nuk është rastësi që vdekjen e Atë Artur Liolinit e njoftoi fillimisht media kishtare e Janullatosit dhe pastaj komuniteti shqiptaro-amerikan. Njoftimet e mbështetura nga shërbimet greke e përlëvdojnë të ndjerin si mbështetës të veprës anastasisite në Shqipëri, për të dhënë gjithmonë shenjën e mbështetjes edhe për të gjallët, për ata shqiptarë që janë kompromentuar dhe blerë, në shërbim të shteteve fqinje, por gjithmonë duke u fshehur pas retorikës shqiptaromadhe. Rëndom shqiptarë të tillë janë të veshur me potencial, privilegje dhe rehati ekonomike.

Le të kujtojmë se në vitin 1991 Janullatosi e mori vizën për të hyrë në Shqipëri pikërisht me ndërhyrjen e Atë Artur Liolinit te Ramiz Alia. Ndërhyrja e “pasardhësit të Nolit” ishte një dhuratë për regjimin komunist, duke ia faturuar kishës shqiptaro-amerikane përgjegjësinë, në një kohë kur dihej se misionari grek kishte përfunduar studimet e larta si ushtarak, si oficer i zbulim-kundërzbulimit grek dhe ishte emëruar peshkop nga junta e kolonelëve në vitin 1972. Gjithashtu dihej publikisht se Janullatosi kishte shkuar më parë në Afrikë dhe gjetkë, me misione shtetërore greke.

Pasi Janullatosi u fronëzua si kryepeshkop pas një viti, më 1992, Artur Liolini u vu në pozitë të vështirë në Amerikë, prandaj dhe bëri një lojë me shqiptarët, duke u paraqitur si kundërshtar i grekëve dhe mbrojtës i autoqefalisë.

Gjithsesi, në vitin 2001 Atë Artur Liolini do t’i kërkonte falje kryepeshkopit Janullatos, për kundërshtimet që kishte shprehur në vitin 1992. Për të ruajtur e shtuar privilegjet ekonomike në peshkopatën shqiptaro-amerikane, të cilën kishte kapur dhe privatizuar, e shtrënguan që kjo kthesë dhe mbështetje ndaj misionit grek në Shqipëri të bëhej jo vetëm publikisht, por para forumit më të fuqishëm greko-amerikan, atë të Arkondëve (Archons of the Ecumenical Patriarchate), madje gjatë ceremonisë kur kryepeshkopi Janullatos u dekorua nga kryepeshkopi grek i Amerikës. Atë Artur Liolini do ta shpjegonte dhe do ta shfajësonte qëndrimin e tij të vitit 1992 me një thënie shqip, e recituar para parisë greko-amerikane me mbi 1000 vetë: “Pemës që ka kokrra, i bien të gjithë me gurë”!

Domethënë, shqiptarët e kundërshtonin Janullatosin në vitet 1990 nga smira…

Nëse jo, çfarë do të thotë kjo shprehje dhe çfarë përkthen ky qëndrim?

  • * *

Autorët që shkruajnë e postojnë mbi vdekjen e Atë Artur Liolinit kanë një ngërç të përbashkët… Kopjojnë njëri-tjetrin duke përsëritur dy cilësime: “pasardhës i denjë i Nolit” dhe “shqiptar i madh”. Anjëri prej tyre nuk shkruan se cili është kontributi kombëtar dhe kishtar i këtij prifti funksionar për katër dhjetëvjeçarë. Cila është trashëgimia (legacy) e Liolinit?

Në qoftë se ky ishte vërtet trashëgimtar i Imzot Fan Nolit, duhet të ishte edhe shqiptar i madh njëherësh, siç ishte Noli. Sepse, në kahun tjetër, Janullatosi ka lënë një trashëgimi të rëndë, të dukshme e të numërueshme, si në Shqipëri ashtu edhe në diasporë; nga pikëpamja e arritjeve greke, domethënë antishqiptare.

Çfarë na la Liolini, përveç mbështetjes së Janullatosit, dëbimit të priftërinjve shqiptarë, zëvendësimit të gjithë klerit me priftërinj jo shqiptarë dhe në shumicë antishqiptarë?

Ku është Peshkopi shqiptar që duhet të kryesonte sot kishat shqiptaro-amerikane, siç e kanë të gjitha kishat e tjera ortodokse në Amerikën e Veriut?

Ku janë priftërinjtë shqiptarë që duhet të kryesonin kishat tona në Amerikë, siç i kanë të gjitha kishat e tjera ortodokse në diasporë?

Ku janë kishat e reja për dhjetëra mijëra shqiptarë të rinj që emigruan në Amerikë dhe Kanada pas viteve 1990, siç i kanë të gjitha kishat e tjera ortodokse dhe siç i kanë edhe kishat shqiptare katolike e ungjillore?

Në komunitetet e tjera ortodokse në Amerikën e Veriut priftërinjtë i përkasin kombësisë dhe gjuhës së komunitetit ku shërbejnë. Në këtë mënyrë merren edhe masat për të ardhmen, për të trashëguar gjuhën dhe kulturën e tyre. Diaspora ortodokse, duke qenë e organizuar dhe me identitet, ka opinion dhe influencë në atdheun përkatës.

Edhe pse në ShBA ka pasur dhe ka mjaft klerikë shqiptarë dhe shqiptaro-amerikanë, me arsim kishtar dhe njohje të të dy gjuhëve, këta shërbejnë në juridiksione të tjera, ose bëjnë punë të tjera jashtë kishës, sepse nuk pranoheshin nga Atë Artur Liolini dhe fisi i tij, të cilët kishin kapur kishat shqiptare dhe i trajtonin si biznese private për mbi tre dhjetëvjeçarë.

Kryepeshkopi Janullatos ia arriti qëllimit për të dobësuar dhe kapur diasporën e organizuar ortodokse në Amerikë, duke e futur në shërbim të projektit të tij shkombëtarizues, ndërsa pengoi dhe luftoi çdo përpjekje për të hapur kisha të reja në diasporë.

  • * *

Atë Artur Liolini shërbeu mbi dyzet vjet si prift pa studiuar teologji, duke kapur kryesinë e kishave ortodokse shqiptaro-amerikane, një post me përfitime të mëdha ekonomike dhe politike, të cilin e kishte privatizuar krejt!

Mbijetoi duke emëruar rreth vetes familjarë dhe miq, duke përdorur trashëgiminë dhe emrin e Nolit si peng dhe hajmali për të manipuluar kryesisht politikanët dhe intelektualët e Shqipërisë dhe Kosovës, dhe duke shfrytëzuar nevojën për ndikim politik që kishte roli i pasardhësit të Nolit në vitet 1990.

I mbajti kishat shqiptare në Amerikë pa peshkop për shumë vjet, derisa i vdiq gruaja vëllait të tij, duke e bërë atë peshkop, vetëm e vetëm që të vazhdonte të kontrollonte dhe të përfitonte ekonomikisht.

Sukseset e Janullatosit dhe të shërbimeve të huaja në botën shqiptare janë arritur gjithmonë duke ndërtuar mbi dobësitë, veset dhe interesat vetjake të shqiptarëve. Një popull që nderon të ligjtë, ata që shesin shpirtin për përfitime në kurriz të kombit dhe të fesë…

Nën dritën e fakteve të mësipërme dhe të mëposhtme, ju pyes: Cila është trashëgimia e Liolinit?

FOTO: Pritja e Janullatosit në Kryekishën Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston, 2008. Në krah të djathtë të Janullatosit, peshkopi i ndjerë Nikon Liolini, dhe midis tyre mbrapa, Atë Artur Liolini. I dyti djathtas, Atë Theofan Koja, sot peshkop në kishën greke të Amerikës.

You May Also Like

More From Author