Menu Sidebar Widget Area

This is an example widget to show how the Menu Sidebar Widget Area looks by default. You can add custom widgets from the widgets in the admin.

Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian që zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, rrezikojnë përparimin e rëndësishëm që është arritur në dialogun mes këtyre dy vendeve, nën ndërmjetësimin e bllokut evropian.

Kështu ka thënë të dielën ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

Ai i ka bërë këto deklarata një ditë pas vendimit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë për t’u larguar nga institucionet e Kosovës.

“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar edhe më shumë tensionet. Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së në thirrjen që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në përputhje me përkushtimet e bëra në dialog dhe që t’iu kthehen institucioneve të Kosovës, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratën lokale”, ka thënë Hill për televizionin N1.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Hill, po ashtu, ka thënë se SHBA-ja është në linjë me BE-në edhe sa i përket kërkesës ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS.

Kryeministri i Kosovës, u ka bërë thirrje serbëve që të mos braktisin institucionet e Kosovës, pasi në këtë mënyrë dobësojnë shërbimet për qytetarët.

Për dallim nga Kosova, Serbia e ka mbështetur vendimin e Listës Serbe.